Despina Angelovska
Review of Communist Intimacy by Jasna Koteska, Templum, Skopje, 2008 in Albanian language
Деспина Ангеловска
Рецензија за Комунистичка интима од Јасна Котеска, Темплум, Скопје, 2008 на албански јазик.
Review published in:
Identities, Journal of Politics, Gender and Culture, volume 7, no. 1/2, Winter 2009, 251-257.
Despina Anqelovska
Libra Intima komuniste e teoricienes, eseistes dhe publicistes së re maqedonase, Jasna Koteska, u botua nga botuesi i angazhuar Templum, Shkup, në vitin 2008. Në të kjo autore subtile, erudite, intriguese dhe e ndjeshme në aspektin gjinor e analizon fenomenologjinë e komunizmit në shekullin njëzet duke u ndërlidhur kështu me veprat ekzistues autoriale të cilat merren me analizën kritike të sistemeve komuniste dhe totalitare në historinë më të re, ndër të cilat mund t’i përmendim edhe ato të teoricienit bullgar të letërsisë dhe kulturës Cvetan Todorov – duke vënë kështu theks të veçantë te komunizmi jugosllav dhe maqedonas, duke u ndalur në versionin e tij specifik provincial dhe censurimin e intimës që e operojnë shërbimet sekrete. Ky libër i dokumentuar mirë dhe i ilustruar me shembuj të shumtë, njëkohësisht, paraqet edhe “leksikon të YU komunizmit” të veçantë: i strukturuar në dy pjesë, nga të cilat njëra ka pesë, e tjetra gjashtë kapituj, ai ka plot të dhëna veçanërisht interesante, argëtuese dhe të çmueshme për periodën komuniste, fryt i punës së gjatë dhe intensive shkencore-hulumtuese e Koteskës.
Autorja ia kushton këtë libër babit të saj, poetit maqedonas Jonče Koteskit (1932-2001), i cili së paku tridhjetë e gjashtë vjet nga jeta e tij ishte objekt i mbikëqyrjes policore në kuadër të ish Jugosllavisë. Dosja e tij policore mbahej me shifrën “Intimisti”. Në vitin 1985, pak para shkatërrimit të federatës jugosllave, në kohën kur Lajbahu slloven me ikonografinë e vet provokative naziste është njëri nga grupet muzikore më të popullarizuara në vend, poeti Jonče Koteski mbyllet në burgun e Idrizovës dhe dënohet me pesë vjet robëri me akuzë se punon fshehtas për rrëzimin e Jugosllavisë dhe krijimin e shtetit të pavarur maqedonas.
Megjithatë, siç thekson vetë autorja, kjo vepër nuk është biografi e babait të saj, sepse “nga të gjithë njerëzit në planet, prindërit tanë i njohim më së paku (…). Ky është libër për faktin se si mua më ka shkaktuar dhembje komunizmi dhe mentaliteti provincial”. Kështu, nevoja nismëtare për krijimin e këtij libri, siç shkruan vetë Koteska, është para së gjithash personale dhe në të, veç nga fakti i pretendimit për ndonjëfarë analize të totalizuar të Historisë me H të madhe, ajo udhëhiqet nga një nevojë urgjente përkundër traumës personale, përkundër dhembjes intime të shkaktuar nga versioni provincial i komunizmit maqedonas. Në frymën e pjesës së Hajner Mylerit (Heinrich Müller) Hamlet-makina, ky libër është kërkesë për ballafaqim me të kaluarën, si dhe me investimet pesonale në të, me pikëllimin pa shenjën njohëse, atë pikëllim i cili nuk mund të shfaqej publikisht, si kusht për pajtim, shërim, dhe për ta jetuar të tashmen. Dëshira për pasqyrimin fenomenologjik të komunizmit dhe shkoqitjen e logjikës së tij, përpjekja për t’iu përgjigjur pyetjes për atë se “si inxhinjeringu i njeriut ka genë i nevojshëm që të vendoset ajo ideologji”, të cilët e përbëjnë intimën komuniste, sipas fjelëve të Koteskës, vijnë më vonë.
Intimën komuniste njëherësh e lexojmë edhe si gjest (feminist) të rezistimit të autores të subjektit “të papastër”, të papërshtatshëm femëror – e bija e “Intimistit” – përkundër shoqërisë (post)komuniste dhe provinciale maqedonase dhe spastrimeve të saj, duke folur publikisht për “turpin” dhe për traumën intime të ndjekur të familjes së saj dhe duke i analizuar këto si pjesë përbërëse të sistemit, duke e rrënuar kështu edhe ndarjen patriarkale midis sferës private dhe shoqërore, e cila e përshkon edhe shoqërinë bashkëkohore maqedonase. Vënia e theksit nga ana e Koteskës mbi të papastrën/të papërshtatshmen dhe obskuren, intimen dhe ambivalenten, mbi traumën dhe psikanalizën, së fundi mbi të shtatshmen dhe femëroren, në këtë kuptim, është gjithashtu edhe akt i rezisencës përkundër asaj që ajo e analizon si “project sanitar” komunist dhe tirania e publikes dhe subjektit të përshtatshëm shoqëror, transparent, të vetëm/njëmendësor dhe të pashtatshëm të komunizmit. Dhe, pikërisht në kuptimin e të mbaruarit të shkrimit të Intimës komuniste, si shkrim femëror, libri kyç i cili e ka iniciuar gjestin autorial të Koteskës, është kërkesa e Antogonës (2000) nga teoricienia kulte e teorisë gjinore, Xhudit Batler (Judith Butler), pasusi vendimtar i të cilit që autorja e citon me përkthim të vet, thotë: “Antogoni refuzon t’I nënshtrohet cilit do qoftë ligj i cili refuzon ta njohë pikëllimin e saj dhe në të t’i anticipojë situatat e atyre të cilët nuk mundnin as dhembjen ta shfaqin me pikëllim – gjë që të sëmurët nga sida, për shembull, e dinë mirë. Me çfarë soji vdekjeje të gjallë janë të dënuar këta njerëz?” Në frymën e analizës së Batlerit të personazhit të Antigonës, analizë në të cilën ajo e lidh kërkesën dhe angazhimin e guximshëm të heroinës ambivalente në mënyrë incestuoze, me kërkesat e atyre relacionet e të cilëve nuk janë të pranuara/të njohura në rrafshin shoqëror dhe nuk janë të nderuara si relacione të afrisë përkatëse, Intima komuniste e Jasna Koteskës e rrënon gjenealogjinë komuniste provinciale dhe hapet kah llojet tjera të afrisë gjinore dhe të filiacionit dhe, së këndejmi, edhe kah format tjera të opozitës dhe të veprimit politik.
Në këtë kuptim, gjithashtu, Intima komuniste është gjest i pajtimit me babanë e “çfamiliarizuar”, me atë që ka genë i urryer, subjekt abjektiv i komunizmit: “Intimisti”. Kjo “letër babait” është jo tipike, e cila largohet nga kanuni tradicional (letrar) ku gjenealogjia, para së gjithash është androcentrike dhe emri bartet nga babai te i biri, shkruhet si letër nga bija “bastarde”, në emër të babait të poshtëruar, të ekskomunikuar, jolegjitim, të destituuar nga sistemi dhe ”zvetnohet” si përpjekje për rehabilitimin e tij të ndryshëm. Në një gjest kritiki pajtues – me babanë e vet, me traumën dhe të kaluarën e vet – në të cilën e bija “e birëson” të atin dhe lidhja përtërihet, e forcuar, natyra ekskluzive/shkyçëse dhe normative e lidhjes familijare (si themel e sistemit shoqëror) hapet edhe drejt atyre të cilët shoqëria dhe sistemi komunist i ka ekskomunikuar dhe shfamiliarizuar si jopërkatës, të papastër. Nëpër rreshtat e këtij libri kështu, e vërejmë edhe kritikën e gjenealogjisë komuniste (patriarkale).
Intima komuniste shkruhet edhe si akt i rezistencës përkundër asaj që autorja e realizon si amnezi kulturore e 150.000 vetave dhe familjeve të tyre, për të cilët në Maqedoni janë mbajtur dosje politike gjatë kohës së komunizmit. I botuar në kohën kur në shoqërinë maqedonase debatohet pikërisht ligji lustracion, por arkivat e shërbimeve sekrete nga perioda komuniste, siç e analizon këtë Koteska, edhe më tutje “parimisht nuk janë të lira”, përkatësisht “mbeten të qasshme vetëm restrikcionet serioze”, ky libër paraqet pleduaje për transparencën e tërësishme dhe hapjen joselektive të arkivave të shërbimeve të kundërzbulimit të Maqedonisë komuniste, si kusht që historia mos të përsëritet. Siç thekson vetë Koteska “Ky libër u shkrua me një synim të qartë – nga drejtësia tranzicionale maqedonase”.
I botuar, gjithashtu, në kohën kur në Maqedoninë postkomuniste në pushtet gjendet garnitura konservative-djathtiste, Intima komuniste, në saje të mekanizmave të veta veçanërisht të pasura kritike dhe autoreflektive, në asnjë moment nuk i dorëzohet lehtësisë dhe (vetë) pëlqimit. Dhe në veta përmban kokrra të rëndësishme të rezistencës përkundër rrezikut nga përvetësimi dhe keqpërdorimi në kuptimin që kritika e saj për regjimin e mëparshëm komunist të jetë marrë vetëm për glorifikim të opsionit aktual politik dhe ideologjik. Në këtë kuptim, vegla kyçe në shkoqitjen e komunizmit maqedonas e Jasna Koteskës është edhe libri i Radomir Konstantnoviçit, Filozofia e provincës, prej ku autorja e nxjerr imazhin e tiranisë së frymës vulgare të provincës, të cilën ajo e lexon si duke e përshkuar edhe më tej shoqërinë bashkëkohore provinciale maqedonase, si dhe eshtablishmentin e saj kulturor dhe politik. Kështu, te Intima komuniste Koteska refuzon t’i përdor metodat e njëjta për demaskimin e provincës me të cilat ka operuar ajo vetë. Njëherësh libri i Koteskës na përkujton edhe rrezikun nga rifigurimi i mundshëm i zgjidhjeve ideologjike të komunizmit në forma të ndryshme të qeverisjes politike. Njësoj duke u vendosur në mënyrë të barabartë edhe në kontekstin bashkëkohor globalizues, Koteska, në librin e saj jo me më pak kritikë u qaset edhe kapitalizmit multinacional dhe neokolonializmit kulturor, duke u ndalur edhe te ekseset e shoqërisë së konsumit.
Dhe, në fund të këtij vlerësimi, mund të shtojmë se me qasjen e vet eseistiko-interdisiplinare, autorja në frymën e disa librave kulte të Zhizhekut (Žižek), duke i përzier zhanret dhe mediumet, peshën e mendimeve të saj nga fusha e filozofisë politike dhe etikës, vazhdimisht e “lehtëson” me referencat eklektike-argëtuese dhe drejtpërsëdrejti evokative nga kultura e filmit dhe pop kulturës. Kështu, Intima komuniste, e cila përveç kësaj, me shkathtësi shërbehet edhe me veglat e teorisë gjinore dhe të psikanalizës, po edhe me shembuj nga teoria e lojërave, shndërrohet edhe në libër për amatorët e filmit, veçanërisht për ata me shije të hollë kinematografike.
Përktheu: Linditë AHMETI
Post a Comment